“Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”
Ky është një libër i jashtëzakonshëm për një shekull të pazakonshëm – për shekullin e njëzet. Është një panoramë letrare, historike, politike dhe sociale. Përmes qindra rrëfimeve të shkurtra, në këtë libër prezantohen në mënyrë virtuoze historitë e vogla pranë historive të mëdha të një shekulli. Në këtë libër defilojnë shkrimtarë dhe shtetarë, anarkistë dhe aventurierë, disidentë dhe diktatorë – disa shkruajnë, disa vallëzojnë, disa mallkojnë dhe disa dashurojnë. Të gjithë ëndërrojnë - një botë të re, një botë tjetër, një botë më të mirë. Shekulli i 20-të është një shekull marramendës - mes parajsës dhe humnerës. Është shekull i luftërave dhe i lirive pothuaj të pakufishme. Disa nga margaritarët e këtij shekulli i gjeni në këtë libër.
Brenda 250 faqeve të këtij libri do të kuptoni historinë e një letre të Aleksandër Moisut që e dërgoi më 1935. Do të mësoni për miqësinë e piktorit austriak Oskar Kokoschka me diplomatin shqiptar Çatin Saraçi. Ose për emrin ballkanik të një çokollate të famshme zvicerane. Shumë lexuese dhe lexues e njohin emrin e shkrimtarit zviceran Max Frisch. Këtu, në këtë libër, gjeni diçka edhe për udhëtimin e Max Frischit në Kosovë më 1933. Ose për miqësinë e aktorit Aleksandër Moisiu me shkrimtarin Stefan Zweig. Mes viteve 1910-1930 askush nuk ka vdekur më bukur në skenën e teatrit se Moisiu. Ndoshta për këtë arsye ai si vend për prehjen e përhershme i ka zgjedhur varrezat në fshatin Morcote në Tiçino. Ky është ndër fshatrat më të bukura në botë. Në këtë libër rikthehen në vemendje të lexuesit shumë personalitete.

